Është mbajtur mbrëmjen e sotme protesta e 58-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku qytetarët kanë zbritur sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të qeverisë.
Ashtu si në tubimet e mëparshme, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin "Skënderbej" dhe më pas kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku edhe kanë vijuar qëndrimin e tyre.
Gjatë marshimit dhe përpara godinës së qeverisë, qytetarët kanë hedhur thirrje të fortë kundër drejtuesve dhe gjithë klasës politike në vend. Ndër sloganet kryesore që u dëgjuan gjatë protestës ishin: "Rama në burg", "Berisha në burg", "Revolucion", "Jep dorëheqjen" si dhe "Ju erdhi fundi".
Pjesëmarrësit në tubim kanë shprehur revoltën e tyre për situatën e vështirë politike dhe ekonomike ku ndodhet vendi, duke kërkuar ndryshime rrënjësore dhe largimin e kryeministrit nga detyra.