SPAK dërgon për gjykim 11 të pandehur, zbardhet rrjeti shqiptaro-finlandez i trafikut të drogës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.07.2026, 15:59

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme 11 persona të akuzuar si pjesë e disa grupeve të strukturuara kriminale që trafikonin lëndë narkotike nga vende të ndryshme drejt Finlandës. Të pandehurit akuzohen për vepra penale si “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, ndërsa mes emrave të përfshirë janë Besnik Spata, Ermelind Pupa (Myzyri), Erind Agalliu (Teneqexhiu), Geraldo Seferaj, Dorjan Luzaj, Kevin Qevani, Toni Kota, Eltion Myftari, Ledjon Hoxha, Altin Musta dhe Nikollaq Godo.

Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore të krijuar në nëntor 2023 me Policinë Qendrore Kriminale të Finlandës. Gjatë hetimit janë përdorur përgjime telefonike, regjistrime të fshehta audio-video dhe shkëmbim informacioni në kohë reale me autoritetet finlandeze. Nga provat rezulton se grupet kriminale, të drejtuara nga shtetas shqiptarë, kanë trafikuar drejt Finlandës sasi të mëdha amfetamine, kokaine, kanabisi dhe tabletash ekstazi, të cilat më pas shpërndaheshin në qytete të ndryshme të vendit.

Hetimet kanë dokumentuar një sërë episodesh trafiku. Mes tyre janë shitja e 1 kilogrami amfetaminë në Helsinki më 11 shkurt 2023 dhe një tjetër kilogram më 1 mars 2023, si dhe transportimi e shitja e 38 kilogramëve amfetaminë në periudhën mars-prill 2023. Gjithashtu janë provuar episode të furnizimit me 10 dhe 3 kilogramë kokainë, 50 kilogramë kanabis, 20 deri në 51 kilogramë amfetaminë në periudha të ndryshme, si dhe trafikimi i 45.890 kilogramëve amfetaminë, 8.885 kilogramëve kokainë, 1,620 tabletave Oxydolor, 56 tabletave Buprenorfinë dhe pesë flasterëve Durogesic në Finlandë.

SPAK ka dokumentuar gjithashtu trafikimin përmes shërbimit postar të mbi 200 kilogramëve kanabis nga Spanja drejt Finlandës gjatë periudhës prill-gusht 2024. Sipas dosjes, grupi ka siguruar dhe shpërndarë edhe 134 kilogramë kanabis, 87 kilogramë të tjerë, 9,777 tableta ekstazi dhe disa episode të shitjes së kokainës në Helsinki, Espoo dhe Vantaa. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve janë arrestuar dhe dënuar më herët nga gjykatat finlandeze për aktivitetin kriminal.

Prokuroria bën me dije se procedimi penal është ndarë nga dosja kryesore nr.147 e vitit 2023 dhe se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Në këtë operacion kanë kontribuar edhe Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe rrjeti “@ON”, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit