Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, dolën në protestë për të denoncuar mungesën e ujit të pijshëm, një problem që, sipas tyre, vazhdon prej dekadash pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit. Ata pretendojnë se qindra milionë lekë janë shpenzuar për projektin, por furnizimi me ujë vijon të mungojë, duke akuzuar institucionet vendore për mungesë kontrolli dhe punime me cilësi të dobët.
Gjatë protestës, banorët u shprehën se janë të gatshëm të financojnë vetë hapjen e puseve për të siguruar ujë, me kusht që të mos paguajnë tarifën e furnizimit. Ata treguan se aktualisht detyrohen të mbushin ujë në një çezmë të vetme të fshatit, ku krijohen radhë që në orët e para të mëngjesit, situatë që, sipas tyre, ka sjellë edhe konflikte mes banorëve. "Kemi 35 vjet që paguajmë taksa, por ende zihemi për një bidon ujë", u shpreh një prej protestuesve.
Përveç mungesës së ujit, banorët ngritën shqetësime edhe për gjendjen e rrugëve, kanalizimeve dhe infrastrukturës elektrike, duke akuzuar drejtuesit vendorë për mosmbajtje të premtimeve. Ata paralajmëruan se nëse nuk merren masa të menjëhershme për zgjidhjen e problemit, javën e ardhshme do ta përshkallëzojnë protestën, duke bllokuar akset kryesore rrugore në zonë.