Një 54-vjeçar ka hyrë i armatosur në ambientet e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku kishte shkuar për të marrë mjekim për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë qëndrimit në spital, arma e zjarrit që mbante në çantë i ka rënë aksidentalisht, duke shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme.
Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin G. N., 54 vjeç, ndërsa në vijim të hetimeve ka shpallur në kërkim djalin e tij 18-vjeçar. Sipas bluve, i riu dyshohet se ka fshehur armën me qëllim pengimin e zbulimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në hetim është përfshirë edhe një punonjës i Spitalit të Lezhës, me detyrë në sektorin e IT-së, i cili dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës. Policia vijon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.