Qytetarë të shumtë kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës këtë mëngjes para Parlamentit, duke u mbledhur në orën 08:30, pak para nisjes së seancës plenare. Organizatorët bëjnë me dije se protesta vjen si reagim ndaj asaj që e cilësojnë mungesë përfaqësimi nga deputetët dhe shkëputje të institucioneve nga shqetësimet e qytetarëve.
Sipas organizatorëve, tubimi synon të ngrejë zërin kundër mënyrës së funksionimit të Parlamentit dhe klasës politike. Ata theksojnë se protestat do të vijojnë derisa kërkesat e tyre të dëgjohen, ndërsa edhe këtë herë priten pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të vendit.
Ndërkohë, masat e sigurisë pritet të jenë të shtuara në zonën përreth Parlamentit, ku do të angazhohen forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e protestës. Në protestat e mëparshme nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe drejtuesve politikë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore.