Dënohen dy shqiptarët që u kapën në ‘shtëpi bari’ në britani: Punonim për të shlyer borxhin e hyrjes ilegale!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.07.2026, 19:01

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe pasi u kapën duke kultivuar kanabis në një banesë të përshtatur si laborator droge në qytetin e Bradfordit.

Gjykata e Bradford Crown Court dëgjoi se 30-vjeçari Sokrat Sinjari dhe 22-vjeçari Sheme Selmani kishin hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishin detyruar të punonin në kultivimin e kanabisit për të shlyer një borxh prej 10 mijë paundësh secili ndaj personave që u kishin mundësuar kalimin, raportojnë mediat britanike.

Policia ndërhyri në banesën ku ata ndodheshin më 17 maj të këtij viti. Gjatë kontrollit, Selmani u gjet në katin e parë, ndërsa Sinjari ishte fshehur pas derës së një dhome. Në papafingo ishte ngritur një ambient i kompletuar për kultivimin e kanabisit, me ndriçim LED, sistem ventilimi dhe pajisje të tjera.

Në vendngjarje u sekuestruan 46 bimë kanabisi, me një prodhim të mundshëm prej disa kilogramësh, si dhe 6 kilogramë kanabis i tharë dhe i paketuar në vakum. Gjithashtu u gjetën telefona celularë, karta bankare, para në dorë dhe dokumente të transfertave bankare.

Të dy të pandehurit pranuan fajësinë për prodhimin e lëndëve narkotike të klasës B me qëllim shpërndarjen.

Sipas gjykatës, rasti i Sokrat Sinjarit ishte më i rëndë, pasi ai kishte shkelur edhe një urdhër dëbimi. Ai ishte deportuar në Shqipëri në muajin shkurt të këtij viti, pasi kërkesa e tij për azil ishte refuzuar, por ishte rikthyer sërish në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.

Në seancë u tha se Sinjari kishte deklaruar se kishte frikë për familjen e tij në Shqipëri, pasi personat ndaj të cilëve kishte borxhin e kishin kërcënuar me pasoja nëse nuk vazhdonte të punonte. Edhe Selmani pretendoi se kishte marrë hua 10 mijë paund për të financuar hyrjen e paligjshme në Britani dhe se ishte detyruar të punonte për ta shlyer atë.

Gjykatësi vlerësoi se të dy kishin një rol të rëndësishëm në funksionimin e laboratorit të drogës dhe ishin të vetëdijshëm për përmasat e aktivitetit kriminal.

Sokrat Sinjari u dënua me 20 muaj burg për kultivimin e kanabisit dhe 8 muaj të tjerë për shkeljen e urdhrit të dëbimit, duke marrë një dënim total prej 28 muajsh. Ndërsa Sheme Selman u dënua me 18 muaj burg.

Sipas vendimit të gjykatës, të dy do të vuajnë rreth 40% të dënimit në burg përpara se të lirohen me kusht, ndërsa e gjithë sasia e drogës, pajisjet e sekuestruara dhe paratë e gjetura do të konfiskohen dhe shkatërrohen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit