Shkupi përkujton sot 63-vjetorin e një prej tragjedive më të mëdha në historinë e tij, tërmetin katastrofik të 26 korrikut 1963, që la pas mijëra viktima dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit.
Tërmeti goditi Shkupin në orën 05:17 të mëngjesit, ndërsa lëkundje të tjera vijuan deri në orën 05:43. Si pasojë e katastrofës, 1.070 persona humbën jetën dhe rreth 3.000 të tjerë u plagosën.
Nga goditja u rrëzuan rreth 15.800 banesa, ndërsa mbi 28 mijë të tjera u dëmtuan. Më shumë se 200 mijë banorë mbetën pa strehë, duke e kthyer qytetin në një zonë të shkatërruar.
Pas tragjedisë, Shkupi u bë simbol i solidaritetit ndërkombëtar. Organizata humanitare nga shumë vende nisën të dërgonin ndihma, ndërsa edhe Kombet e Bashkuara ndërmorën një aksion për mbështetjen e rindërtimit të qytetit.
Më 14 tetor 1963, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për ndihmën ndaj rindërtimit të Shkupit, një vendim që mbeti në historinë e OKB-së si një nga shembujt e bashkëpunimit ndërkombëtar pas një katastrofe natyrore.
Tërmeti i vitit 1963, me magnitudë rreth 6 ballë të shkallës Rihter, por me intensitet të lartë shkatërrues, u regjistrua si një nga ngjarjet më të rënda sizmike në rajon. Pas tij, Shkupi u rindërtua dhe mori një pamje të re, duke u kthyer në simbol të ringritjes pas një tragjedie të madhe.