Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, në vendin e njohur si “Fushë Dukat”, ku një furgon me punëtorë është përfshirë në një përplasje fatale.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 06:10, drejtuesi i furgonit me targa AC 701 AJ ka humbur kontrollin e mjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një bordurë betoni në anë të aksit. Goditja ka qenë tepër e fortë, duke e dëmtuar rëndë pjesën ballore të automjetit.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit janë Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik.
Për nxjerrjen e të plagosurve, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave të furgonit, është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Më pas ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, punëtorët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit në momentin kur ndodhi aksidenti.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.