Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të Cakranit, në Bashkinë Fier, të cilët thonë se prej tre ditësh kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.
Sipas tyre, si shkak është përmendur një defekt në pompat e ujësjellësit, por deri më tani nuk u është dhënë asnjë informacion i qartë se kur pritet të rikthehet shërbimi.
"Banorët e Cakranit, një nga njësitë më të mëdha të Fierit, prej tre ditësh janë pa ujë. Na është thënë se janë prishur pompat, por askush nuk jep informacion të qartë se kur do të rikthehet furnizimi," – shprehet qytetarja në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Banorët e konsiderojnë të papranueshme që, në kulmin e sezonit veror dhe mes temperaturave të larta, një zonë kaq e madhe të mbetet pa ujë për disa ditë radhazi.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë, si edhe të informojnë publikisht qytetarët mbi situatën dhe afatet e zgjidhjes së problemit.