Pas denoncimit në JOQ, reagon Intex Albania: “Pishina nuk u ça vetë, por u godit nga jashtë”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 25.07.2026, 23:11

Pas publikimit në JOQ Albania të denoncimit të një qytetareje, e cila pretendonte se një pishinë e blerë për 400 mijë lekë ishte dëmtuar brenda dy muajsh dhe se kompania kishte refuzuar të mbante përgjegjësi, ka reaguar edhe subjekti "Pishina Intex Albania", duke paraqitur versionin e tij të ngjarjes.

Në një video të dërguar në redaksinë tonë, përfaqësuesi i kompanisë kundërshton pretendimin se dëmtimi ka ardhur si pasojë e një defekti të produktit.

Sipas tij, gjatë verifikimit në terren u konstatua se pishina nuk ishte çarë vetvetiu, por ishte goditur nga një objekt i jashtëm.

"Kjo ishte pjesa që ne riparuam. Klientja pretendonte se pishina ishte çarë vetë, por ne konstatuam se në fillim të çarjes ishte dëmtuar edhe shtroja mbrojtëse që vendoset poshtë pishinës. Poshtë saj ndodhet betoni, çka tregon se goditja ka ardhur nga lart dhe jo si pasojë e një defekti të materialit", shprehet përfaqësuesi i kompanisë në video.

Kompania shton se, megjithëse pretendonte se dëmtimi nuk mbulohej nga garancia, ka dërguar punonjësit për ta riparuar pishinën dhe më pas i ka ofruar klientes mundësinë të blinte një tjetër me çmimin e fabrikës.

Sipas "Pishina Intex Albania", komunikimi me klienten u ndërpre pasi, sipas tyre, ndaj kompanisë u përdorën akuza dhe fyerje.

Me këtë reagim, tashmë të dyja palët kanë paraqitur publikisht versionet e tyre mbi rastin.

JOQ Albania nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur shkakun e dëmtimit të pishinës dhe nuk merr anë në këtë mosmarrëveshje civile. Në përputhje me parimin e balancës mediatike, redaksia ka publikuar edhe reagimin e subjektit të përmendur, në mënyrë që publiku të njihet me qëndrimet e të dyja palëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit