Spanja dhe Franca në luftë me flakët, mbi 250 mijë banorë detyrohen të braktisin shtëpitë

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 25.07.2026, 18:48

Një valë zjarresh me përmasa të paprecedenta ka përfshirë Francën dhe Spanjën, duke detyruar mbi 250 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet po zhvillojnë një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit për të frenuar përhapjen e flakëve.

Francë, situata është veçanërisht kritike në rajonin e Gironde, pranë Bordosë, ku zjarri po i afrohet zonave të banuara. Mbi një mijë zjarrfikës, ushtarë, avionë dhe helikopterë janë angazhuar në terren, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuime masive dhe kanë mobilizuar edhe ushtrinë për të mbështetur operacionet.

Edhe Spanja po përballet me zjarre të fuqishme, sidomos në zonat pranë Madridit, ku temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta kanë favorizuar bashkimin e disa vatrave në një front të vetëm zjarri. Mijëra efektivë dhe mjete ajrore po luftojnë për të mbajtur situatën nën kontroll.

Sipas autoriteteve, kushtet ekstreme të motit kanë bërë që flakët të përhapen me shpejtësi të pazakontë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se sezoni i zjarreve në Evropën Jugore po bëhet çdo vit e më i ashpër për shkak të valëve të të nxehtit dhe ndryshimeve klimatike.

Deri tani, zjarret kanë shkatërruar dhjetëra mijëra hektarë pyje dhe tokë, ndërsa mijëra banorë vijojnë të qëndrojnë larg shtëpive në pritje që situata të stabilizohet. Autoritetet në të dy vendet kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, pasi rreziku mbetet shumë i lartë dhe operacionet për shuarjen e flakëve pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit