Dalin pamjet: RENEA liron ish-partneren e Buzit pas disa orësh peng

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.07.2026, 14:51

Janë bërë publike pamjet që dokumentojnë momentin kur 35-vjeçari Refit Buzi liron ish-të fejuarën e tij, 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, të cilën e kishte mbajtur peng për disa orë në automjet.

Në video shihet se Buzi e nxjerr të renë nga makina, e mban në krah dhe ecën për disa metra, përpara se ta lërë në anë të rrugës. Menjëherë pas kësaj, ai largohet me automjet nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja tragjike nisi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 05:00, kur 35-vjeçari shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij në fshatin Vidhishtë të Roskovecit dhe hapi zjarr ndaj prindërve të saj.

Si pasojë e sulmit, babai i 24-vjeçares, Kosta Plaka, humbi jetën në vend, ndërsa nëna e saj, Belere Plaka, ndërroi jetë disa orë më vonë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Pas krimit, Buzi mori peng ish-të fejuarën dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Forcat speciale RENEA e rrethuan dhe për disa orë zhvilluan negociata me të, duke tentuar ta bindnin të dorëzohej.

Megjithatë, ai refuzoi të vetëdorëzohej. Pasi liroi 24-vjeçaren, 35-vjeçari i dha fund jetës me armën që kishte përdorur edhe gjatë sulmit.

Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, deklaroi se gjatë gjithë negociatave Buzi kishte paralajmëruar disa herë se do të vetëvritej. Sipas tij, këto kërcënime u bënë realitet menjëherë pasi ai liroi pengun, duke mbyllur në mënyrë tragjike një ngjarje që tronditi opinionin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit