Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet mbi vdekjen e anëtarit të familjes mbretërore saudite, Abdullah bin Fahad bin Abdullah bin Abdulaziz bin Jalawi al Saud, i cili u gjet i pajetë në një dhomë hoteli luksoz në Londër vitin e kaluar.
29-vjeçari ishte regjistruar më 19 nëntor për një qëndrim njëjavor në hotelin "Marriott" në Kensington, në Londrën Perëndimore, ndërsa u gjet i vdekur në banjën e dhomës së tij më 25 nëntor. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ai ishte parë për herë të fundit një mbrëmje para ngjarjes duke dalë jashtë për të pirë një cigare. Më vonë, një pastruese hyri në dhomën e tij të mbyllur në katin e pestë dhe e gjeti të shtrirë në dyshemenë e banjës. Pavarësisht ndërhyrjes së sigurimit të hotelit dhe shërbimit të ambulancës, ai nuk mundi të kthehej në jetë dhe u shpall i vdekur.
Në seancën e Gjykatës së Mjekësisë Ligjore të Londrës së Brendshme Perëndimore u bë publik raporti toksikologjik, i cili konkludoi se shkaktar i vdekjes ka qenë konsumimi i sasisë së lartë të alkoolit dhe drogës, çka solli përfundimisht infarkt. Sipas raportit, princi kishte një përqendrim etanoli në gjak prej 222 mg për 100 ml gjak, shifër kjo shumë mbi limitin e lejuar prej 80 mg.
Gjithashtu, në trupin e tij u konstatuan nivele potencialisht fatale të të ashtuquajturës "drogë festash" Gamma-hidroksibutirat (GHB), si dhe gjurmë kanabisi, ilaci anti-ankth alprazolam (i njohur si Xanax) në dozë rekreative dhe ilaçe të tjera anti-ankth në doza terapeutike.
Gjatë hetimeve u bë e ditur se i ndjeri kishte pasur probleme të mëparshme me përdorimin e alkoolit dhe Xanax-it. Për shkak të këtyre vështirësive, në gusht të vitit të kaluar ai kishte qenë i shtruar për trajtim në Klinikën "Priory" me famë botërore në Roehampton, në jugperëndim të Londrës, një qendër ku qëndrimet mund të kushtojnë deri në 35,000 paund në javë.