Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar protestën e 55-të radhazi kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po ecin në kolonë përgjatë bulevardeve të kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Ju erdhi fundi!", të cilat kanë shoqëruar marshimin që në hapat e parë.
Edhe këtë mbrëmje, pjesëmarrësit ritheksuan se nuk kanë ndërmend të ndalen, duke e cilësuar vazhdimësinë e protestës si dëshmi të vendosmërisë së tyre për të kërkuar ndryshim. Prej 55 ditësh me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje në Tiranë, duke e kthyer këtë në një nga mobilizimet më të gjata qytetare të dekadave të fundit.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për 36 vitet e fundit, si edhe reforma të thella politike. Marshimi pritet të vijojë në rrugët kryesore të kryeqytetit edhe gjatë orëve në vijim, nën thirrjet dhe sloganet e protestuesve.