Një qytetare ka denoncuar pranë redaksisë tonë shqetësimin e banorëve të kompleksit "Freskia" në Golem, duke ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të disa pishave që, sipas saj, përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e banorëve.
Sipas qytetares, banorët i janë drejtuar disa herë Bashkisë Kavajë me kërkesa për të ndërhyrë dhe për të bërë prerjen ose sistemimin e pemëve që janë në gjendje të amortizuar, por thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo veprim konkret.
Shqetësimi është shtuar pasi sot një prej pemëve ka rënë mbi një makinë, duke rritur frikën se edhe pishat e tjera mund të rrëzohen në çdo moment. Banorët theksojnë se zona frekuentohet çdo ditë nga fëmijë që luajnë në ambientet e kompleksit, ndaj një incident i ngjashëm mund të ketë pasoja të rënda.
"Kemi bërë kërkesë në bashki, por nuk na pret askush. Tashmë një pemë ka rënë dhe pishat e tjera janë në gjendje shumë të keqe. Këtu luajnë fëmijët çdo ditë dhe kemi frikë se mund të ndodhë një tragjedi. Bashkia Kavajë nuk po bën asgjë", shprehet qytetarja.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Kavajë dhe institucionet përgjegjëse për të inspektuar gjendjen e pemëve dhe për të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik për jetën e qytetarëve.