Erdhën nga Egjipti i largët, me ëndrrën për një jetë më të mirë dhe me shpresën se puna e ndershme do t'u siguronte bukën e gojës në Shqipërinë e "kullave që lajnë paratë". Por për fat të keq, rrugëtimi i tyre u pre në mes në mënyrën më tragjike të mundshme. Dy egjiptianët 30 dhe 44 vjeç, iu pre jeta në asfaltin e Tiranës pasi betonierja e kompanisë "AlbaBeton" ku punonin, u mori jetën në një aksident rrëqethës që mban erë papërgjegjshmërie dhe shfrytëzimi deri në palcë.
Shteti u mundua të fshihte edhe identitetin e tyre, sikur të mos kishin qenë njerëz, por thjesht numra statistikash në bilancet e ndërtimit.
Vetë DPSHTRR e patentave me mik e lekë ka konfirmuar zyrtarisht se viktimat nuk kishin leje drejtimi dhe nuk kishin asnjë Dëshmi Aftësie Profesionale për të komanduar një mjet tonazhi të rëndë si autobetonierja.
Pas "AlbaBeton" fshihen emrat e njohur të Artan e Genc Dulakut dhe Erjon Harizit, ky i fundit vetë kryetari i Shoqërisë së Ndërtuesve të Shqipërisë. Biznesmenë e zyrtarë shtetërorë që nxjerrin në rrugë pa patentë të drejtojnë një betoniere punonjësit e huaj të varfër që i përdorin si mish për top, skllevër të oligarkisë të cilët u shuajtën dhe do të mbeten në harresë, ashtu siç kushdo që mund të kishte përfunduar viktimë në mjetin që betonierja desh mori në qafë.
Kjo çështje do të kalojë pa hetim për kokat, madje edhe në media nuk u përmend aspak dhe tentoi të kalonte sikur s'ka ndodhur gjë, ashtu si çdo skemë tjetër që mbyllet në këtë vend, pa përgjegjës, ndërkohë që garancinë e jetës prej kohësh shqiptarët ia kanë besuar syve të Zotit!
Oligarkët e ndërtimit numërojnë milionat e kateve shtesë dhe parqeve të betonit që po mbytin Tiranën, ndërkohë që në terren janë punëtorët e mjerë ata që paguajnë me kokë mungesën elementare të masave të sigurisë dhe përgjegjshmërisë së skllavo-pronarëve të tyre.