Ngjarja e rëndë nisi në orët e para të mëngjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas hetimeve paraprake, 35-vjeçari shkoi në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes, ku qëlloi me armë gjahu ndaj tyre. Si pasojë, humbi jetën 58-vjeçari Arben Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Pas krimit, Buzi mori me forcë ish-bashkëshorten dhe u largua me automjet, duke vënë në lëvizje një operacion të gjerë policor. Pas rrethimit të zonës nga RENEA, ai liroi 24-vjeçaren, ndërsa vetë vazhdon të refuzojë dorëzimin.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët e viktimës pretendojnë se kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar. Sipas tyre, Refit Buzi kishte kërcënuar prej kohësh ish-bashkëshorten dhe familjen e saj, duke u thënë se nëse ajo nuk rikthehej tek ai, do t'i vriste të gjithë.
Nipi i viktimës deklaroi se autori ishte shoqëruar disa herë nga policia për kërcënimet e vazhdueshme, por ishte lënë sërish i lirë. Edhe vëllai i Arben Plakës e cilësoi krimin si të paramenduar, duke treguar se autori hyri i armatosur në banesë, qëlloi ndaj çiftit dhe më pas u largua nga pjesa e pasme e shtëpisë me automjet, duke marrë me vete 24-vjeçaren.
Sipas familjarëve, 35-vjeçari ndodhej në masën e sigurisë "arrest në shtëpi" dhe autoritetet ishin në dijeni të kërcënimeve të vazhdueshme, por, sipas tyre, nuk u morën masat e nevojshme për të parandaluar ngjarjen tragjike.