Koncesioni iku, paratë mbetën në duart e shtetit, por asaj që i është besuar administrimi rezulton se është ushtare e ministrit De Facto të Shëndetësisë Klodian Allajbeu...
Paketa e sterilizimit që i mori frymën buxhetit të shtetit për 10 vjet u kthye nën administrim shtetëror, por në krye të shoqërisë së re publike OSHIS nuk u emërua ndonjë menaxher karriere apo profil i huaj, por Arisa Cane, një ish-embriologe nga departamenti IVF i Spitalit Amerikan.
Nëse dikush mendon se kalimi nga laboratorët e fëmijëve në drejtimin e dhjetëra miliona eurove të sterilizimit publik është thjesht një hop i vogël professional, atëherë ose nuk e njeh realitetin shqiptar, ose bën sikur nuk kupton. Ky nuk është thjesht një emërim i radhës në administratë, është pika që vërteton se shëndetësia publike nuk ka dalë ndonjëherë nga xhepi i oligarkut Klodian Allajbeu, por që thjesht po ndërron xholat në lojë.
Bashkë me ministren Evis Sala, e cila gjithashtu vjen po nga i njëjti spital privat, kjo hije e Spitalit Amerikan mbi institucionet që menaxhojnë paratë publike të shëndetësisë nuk duket më si rastësi e meritokracisë.
Kur njerëzit e Allajbeut, që tashmë mban në xhep koncesione miliona euroshe të hemodializës dhe laboratorëve, fillojnë të ulën këmbë-kryq edhe në karriget që hapin tenderët e rinj të sterilizimit, pyetja nuk është më nëse ka konflikt interesi, por se sa hapur po tallet shteti me sytë e publikut.
Vetë fakti që porta rrotulluese mes klinikës private dhe zyrave që ndajnë fondet e shtetit nuk ndalet kurrë, tregon se modeli mbetet i njëjtë! Privati fiton koncesionet, shteti i paguan miliona, dhe kur kontratat mbarojnë, administrata thjesht mbushet me punonjësit e të njëjtit patron.
Paratë e shqiptarëve vazhdojnë të qarkullojnë në të njëjtin rreth vicioz ku merkatoja e fondeve publike duket se ka vetëm një adresë të vetme origjine.