Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin e tij me armë gjahu, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas është larguar nga vendngjarja së bashku me ish-bashkëshorten.
Sipas Policisë së Fierit, rreth orës 06:00, Refit Buzi dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj Kosta Plakës, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vend. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori është larguar me automjet duke marrë me vete edhe ish-bashkëshorten e tij, 24-vjeçaren Rozalina Plaka. Familjarët pretendojnë se ajo është marrë me forcë, ndërsa policia po heton rrethanat për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një rrëmbim.
Sipas dëshmisë së nipit të viktimës, ngjarja nuk ka qenë e papritur për familjen. Ai tha se autori kishte pasur konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëshorten pas ndarjes dhe e kishte kërcënuar disa herë.
“Rreth orës 05:00 dëgjova dy krisma. Dola në ballkon dhe pashë që zhurmat vinin nga shtëpia e xhaxhait. Kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Ai e kishte kërcënuar disa herë vajzën dhe ishte shoqëruar nga policia edhe më parë, por lirohej. Sot ndodhi më e keqja,” u shpreh ai.
Menjëherë pas sinjalizimit, Policia e Fierit ngriti pika kontrolli dhe nisi një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e 35-vjeçarit, i cili vijon të jetë në arrati. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të motiveve dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje të rëndë.