Situata para godinës së Kuvendit është tensionuar gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte, ku një grup protestuesish kanë hequr barrierat metalike të vendosura nga policia përreth institucionit.
Pas marshimit drejt Parlamentit dhe thirrjeve kundër qeverisë, disa prej protestuesve kanë shtyrë gardhin e sigurisë, duke tentuar të afrohen më pranë hyrjes së godinës.
Pas këtij momenti janë shënuar përplasje me forcat e policisë, ndërsa nga turma janë hedhur vezë, domate dhe sende të tjera në drejtim të efektivëve, pavarësisht thirrjeve për ruajtjen e qetësisë.
Në zonën pranë Kuvendit ndodhen edhe autobotet me ujë, të vendosura në gatishmëri nga autoritetet në rast përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe duke deklaruar se mobilizimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.