Paranoja në Bllok: Elisa Spiropali me roje dhe detektive private

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 23.07.2026, 02:53

Nëse zemra e Bllokut do të shndërrohej papritur në skenën e një filmi aksion me buxhet të reduktuar, regjisori nuk do ta kishte të vështirë të zgjidhte protagonistin. Prej ditësh, pak metra larg Kryesisë së Kuvendit, lëvizjet e Elisa Spiropalit nuk ngjajnë më me ato të një zyrtareje të zakonshme, por me evakuimin e një karavani që lëviz në territor armik.

Sa herë që bëhet gati të dalë nga zyra, përpara saj vërtitet një grup prej 3-4 djemsh me motorë T-Max, të cilët kontrollojnë çdo cep të itinerarit dhe hapin rrugën, përpara se ajo të niset drejt banesës apo çdo destinacioni tjetër. Pamja të krijon më shumë përshtypjen e një eskorte karteli sesa të një zyrtareje të lartë të shtetit.

Por motorët janë vetëm maja e ajsbergut.

Për t’u siguruar që askush nuk po e ndjek nga pas, është kontraktuar edhe studioja e detektivëve privatë e Shkenda Lilit, e cila ka ngritur një unazë rrethuese agjentësh përreth saj. Me pak fjalë, lëvizjet e saj monitorohen nga njerëz të kontraktuar privatisht, vetëm që të mos monitorohen nga njerëz të tjerë.

Këtu lind pyetja që është njëkohësisht tragjike dhe qesharake: kujt i druhet vallë një prej njerëzve më të pushtetshëm të vendit?

Nga njëra anë dëgjojmë fjalime për Shqipërinë e së ardhmes, platforma madhështore dhe histori kafejesh me mashtrues ndërkombëtarë të kalibrit të Indrit Aliut. Nga ana tjetër, duket se terreni poshtë zyrës është bërë aq i pasigurt, sa kërkon motorë, detektivë privatë dhe një rreth të tërë sigurie për çdo lëvizje.

Mos vallë kjo frikë lidhet me zemërimin e “Skënderbeut” të saj, që mund të ndihet i sfiduar nga qëndrimet politike? Apo kemi të bëjmë thjesht me një paranojë që lind kur pushteti fillon të mos të duket më aq i pathyeshëm?

Arsyet e vërteta i di vetëm ajo. Por ajo që sheh publiku është e qartë: një kastë politike që flet për siguri, stabilitet dhe normalitet, ndërsa vetë nuk guxon të bëjë as disa metra rrugë pa motorë, pa detektivë dhe pa një mur njerëzor përreth.

Në fund të ditës, ky teatër me T-Max-a dhe agjentë privatë nuk është thjesht një episod për t’u komentuar në kafene. Është fotografia më e qartë e një pushteti që predikon qetësi nga podiumi, por jeton me frikë sa herë zbret në rrugë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit