Nesër seanca e fundit plenare, qytetarët njoftojnë protestë para Parlamentit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.07.2026, 22:23

Në përfundim të protestës së 53-të qytetare në Tiranë, organizatorët kanë bërë thirrje për një tjetër mobilizim, këtë herë për mëngjesin e së enjtes.

Qytetarët janë ftuar të mblidhen nesër, më 23 korrik, në orën 08:30 në Sheshin Skënderbej, për t'u nisur më pas drejt godinës së Parlamentit, ku duke nisur që prej orës 10:00 do të zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.

Njoftimi u bë në fund të marshimit të mbrëmjes, ku protestuesit vijuan për të 53-ën ditë radhazi rezistencën e tyre kundër klasës politike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë dhe reforma të thella politike.

Seanca e së enjtes pritet të jetë e fundit përpara pushimeve parlamentare verore dhe në rendin e ditës përfshihen raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, KLGJ-në, KLP-në, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, si edhe disa projektligje dhe akte normative.

Sipas organizatorëve, protesta synon t'u përcjellë deputetëve mesazhin e qytetarëve në ditën e fundit të punimeve të Kuvendit për këtë sesion, ndërsa u është bërë thirrje të gjithë qytetarëve t'i bashkohen tubimit para Parlamentit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit