Në Shqipëri tenderët nuk fillojnë me garë, por me skenar. Dosja e SPAK për tenderin 700 mijë euro të KESH-it tregon se si një nga mekanizmat më të përdorur për të fryrë fondet publike nuk është shpikja e shekullit, por manipulimi i fondit limit. Në letër ligji është i qartë: institucioni duhet të bëjë një studim real të tregut, të marrë paraoferta nga kompani të ndryshme dhe mbi mesataren e tyre të përcaktojë fondin limit. Pra, shteti duhet të dijë sa kushton realisht një shërbim para se të hapë tenderin.
Vetëm se, sipas SPAK, në praktikë gjithçka funksiononte ndryshe. Paraofertat që duhej të ishin të pavarura përfundonin të kontrolluara nga e njëjta dorë, duke e kthyer gjithë procesin në një farsë të mirëorganizuar. Pikërisht kjo skemë është ajo për të cilën ish-drejtori i KESH-it, Benet Beci, u mor i pandehur. Në vend që tregu të vendoste çmimin, çmimi vendosej paraprakisht dhe tregu thjesht bënte figurantin.
Dosja zbardh edhe mënyrën se si lëviznin fijet. Vetëm një ditë pasi Adela Ruko dhe Ervis Berberi i kishin dërguar Dritan Dakolit kriteret e veçanta të tenderit, ky i fundit nisi punën për të përgatitur kompanitë që do të dërgonin paraofertat. Më 13 dhjetor, Dakoli i përcolli Ervis Berberit tre adresa e-maili – [email protected], [email protected] dhe [email protected] – pikërisht kompanitë që do të ftoheshin për të paraqitur ofertat që do të shërbenin si bazë për fondin limit. Pra, edhe kompanitë që supozohej të bënin ‘vlerësimin e tregut’, sipas dosjes, po koordinoheshin paraprakisht.
Dhe këtu nis ironia shqiptare. Euronet rezulton në pronësi të vetë Dritan Dakolit, ndërsa dy kompanitë e tjera, TMC dhe Qplan, zotërohen nga Arben Memo. Pra, në vend të një tregu me kompani të pavarura që konkurrojnë mes tyre, SPAK përshkruan një skemë ku të njëjtët emra shfaqen në të gjitha anët e tavolinës. Kur edhe konkurrenca ka pronar, fituesi duket se dihet para se të hapet zarfi.
Pra, “konkurrenca” vazhdonte vetëm në letër. Sipas dosjes së SPAK, pasi u përzgjodhën tre kompanitë që do të jepnin paraofertat, zinxhiri i koordinimit funksiononte si një grup pune, jo si treg i lirë. Dritan Dakoli ia kaloi adresat e kompanive Ervis Berberit, ndërsa ky i fundit ia përcolli bashkëshortes së tij, Adela Ruko, e cila mbante postin e Përgjegjëses së Sektorit të Prokurimit në KESH. Me pak fjalë, dokumentet nuk qarkullonin mes kompanive dhe institucionit, por mes njerëzve që njiheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.
Kur Ruko hasi vështirësi për të gjetur NIPT-in e saktë të kompanisë Euronet, sepse në QKB rezultonin disa subjekte me të njëjtin emër, nuk iu drejtua regjistrit zyrtar apo kompanisë. Ajo i shkroi bashkëshortit të saj, Ervis Berberit: “Më jep pak NIPT-in e atij të dytit se janë disa në QKB”. Berberi, nga ana tjetër, nuk e dinte as ai. I shkroi menjëherë Dritan Dakolit: “Euronet sa e ka NIPT se dalin disa në QKR?”. Dakoli ia dërgoi NIPT-in e kompanisë së tij, Berberi ia përcolli Rukos dhe vetëm atëherë u nisën ftesat zyrtare për paraoferta.
Nëse gjithçka do të ishte normale, një institucion publik nuk do të kishte pse të pyeste pronarin e një kompanie se cili është NIPT-i i biznesit të tij për t’i dërguar ftesën. Por sipas dosjes, këtu nuk flitet për një procedurë të zakonshme. Flitet për një proces ku edhe detajet më elementare zgjidheshin përmes telefonave dhe mesazheve mes të njëjtëve persona, ndërsa gara që duhej të ishte e pavarur dukej sikur administrohej nga një tavolinë e vetme.
Më pas vjen episodi që e bën skemën edhe më të qartë. Pasi kompanitë dërguan paraofertat, Dakoli nuk priste rezultatin nga institucioni, por i shkruante sërish Ervis Berberit për të pyetur nëse fondi limit do të dilte si mesatarja e tre ofertave. Në orën 14:02 ai i dërgon mesazhin: “Erdhën ofertat. Na duhet të dali mesatarja e pjesëtimit me 3?”, ndërsa Berberi i përgjigjet shkurt: “Një min”. Pra, njeriu që kishte lidhje me një nga kompanitë po diskutonte me zyrtarët mënyrën se si do të llogaritej fondi limit, sikur të ishte pjesë e komisionit dhe jo një subjekt i jashtëm.
Edhe afatet nuk dukeshin rastësore. Në orën 15:25, Dakoli pyet Berberin nëse paraofertat duhej të dorëzoheshin atë ditë apo të hënën. Përgjigjja ishte e prerë: “Të hënën”. Dakoli mbylli bisedën me një “OK”. Kur edhe dita e dorëzimit diskutohet në WhatsApp me njerëzit që administrojnë procedurën, atëherë është e vështirë ta quash më garë. Duket më shumë si një provim ku pyetjet dhe përgjigjet ndahen para se të hyhet në klasë.
Në këtë pikë, sipas dosjes së SPAK, nuk po diskutohej më si do të bëhej tenderi, por sa duhej të dilte fondi limit. Në orën 15:25, Ervis Berberi i shkruan bashkëshortes së tij, Adela Ruko: “Sa e do mesataren e fondit”. Vetëm një minutë më vonë, Dritan Dakoli i dërgon mesazh Berberit: “Ma jep shifrën kur ta marrësh të lutem”. Përgjigjja vinte menjëherë: “Patjetër”.
Dhe në orën 19:46, sipas komunikimeve të administruara nga SPAK, Berberi i dërgon Dakolit shifrën që pritej: “69.5 milionë lekë të rinj pa TVSH”. Përgjigjja ishte po aq e shkurtër sa domethënëse: “OK”. Sipas hetimit, pasi mori këtë shumë, Dakoli përpiloi tre paraoferta fiktive në mënyrë që mesatarja e tyre të përkonte pikërisht me fondin limit prej 69.5 milionë lekësh pa TVSH. Me pak fjalë, nuk ishte fondi limit që dilte nga ofertat, por ofertat që ndërtoheshin sipas fondit limit të vendosur paraprakisht.
Në të njëjtën ditë, drejtoresha e Prokurimeve në KESH, Valentina Kazanxhi, urdhëroi ngritjen e grupit për përllogaritjen e vlerës së kontratës për procedurën “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”. Por SPAK thotë se, ndërkohë që në letër ngrihej grupi i punës, në prapaskenë gjithçka ishte koordinuar më herët. Ftesat për ofertë u ishin dërguar operatorëve ekonomikë të propozuar nga vetë Dritan Dakoli, komunikimet kalonin përmes Ervis Berberit dhe përfundonin te bashkëshortja e tij, Adela Ruko, përgjegjëse e sektorit të prokurimeve në KESH.
Ironia nuk mbaron këtu. Sipas dosjes, më vonë Adela Ruko rezulton të ketë qenë edhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të njëjtën procedurë. Pra, e njëjta zyrtare që kishte komunikuar për dërgimin e ftesave dhe administrimin e paraofertave, më pas u ul edhe në tavolinën që do të vlerësonte operatorët ekonomikë. Një rol i dyfishtë që, sipas hetimit, ngre pikëpyetje serioze mbi pavarësinë dhe integritetin e gjithë procedurës.
Pasi skenari ishte mbyllur dhe tenderi përfundoi në duart e kompanisë “Consulting & Management Albania” të Ervis Myftarit, komunikimet nuk flisnin më për procedura, por për dorëzime. Më 24 janar 2020, Adela Ruko i shkruan Ervis Berberit: “Thuaju pak të sjellin dokumentet dhe sigurimin e kontratës sot, ata të Harvardit”. Berberi i përgjigjet shkurt: “OK, do vijnë”.
Pak minuta më vonë, në orën 08:50, Berberi ia përcjell të njëjtin mesazh Dritan Dakolit. Përgjigjja e këtij të fundit ishte po aq ironike sa edhe domethënëse: “Hahaha, në çunat e Harvardit. OK, patjetër. Vëllai, më jep një numër kontakti”. Një batutë që, sipas dosjes, vinte pasi fituesi i tenderit ishte përcaktuar dhe mbetej vetëm të dorëzoheshin dokumentet për të vulosur procedurën.
Dosja e SPAK përshkruan një mekanizëm ku operatorët ekonomikë që duhej të garantonin konkurrencën rezultojnë të jenë përzgjedhur nga vetë Dritan Dakoli, adresat e tyre kalonin përmes Ervis Berberit, ndërsa komunikimet zyrtare administroheshin nga bashkëshortja e tij, Adela Ruko, përgjegjëse e prokurimeve në KESH dhe më pas edhe anëtare e komisionit që vlerësonte ofertat. Nëse këto pretendime provohen në gjykatë, atëherë konkurrenca nuk ka qenë gjë tjetër veçse një dekor, ndërsa fituesi dhe fondi limit duket se ishin vendosur shumë përpara se të hapej procedura.
Në fund mbetet pyetja që lind vetvetiu: kur kompanitë që duhet të konkurrojnë koordinohen, fondi limit diktohet me mesazhe dhe dokumentet qarkullojnë nga familjarët e zyrtarëve, a kemi ende një tender publik, apo thjesht një skenar ku shteti luan rolin e spektatorit dhe paratë publike atë të trofeut?