Momente ankthi janë regjistruar në plazhin publik të Velipojës, ku një pushues është nxjerrë nga deti në gjendje të rëndë, ndërsa personat që ndodheshin pranë kanë ndërhyrë menjëherë për t'i dhënë ndihmën e parë, në pritje të mbërritjes së ambulancës.
Pamjet kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes. Sipas saj, gjithçka nisi kur një grua në breg kërkoi ndihmë, pasi kishte vënë re një person të zhytur në ujë.
Pushuesit u hodhën menjëherë në ndihmë dhe arritën ta nxirrnin personin në breg. Sipas dëshmitares, një pushuese, e cila punon si infermiere, nisi menjëherë t'i jepte ndihmën e parë, duke u përpjekur t'i lironte rrugët e frymëmarrjes dhe t'i rikthente shenjat jetësore. Me kërkesë të saj, JOQ Albania nuk publikon pamjet ku identifikohet infermierja.
"Po rrinim në plazh kur pamë një grua që kërkonte ndihmë. Një vajzë e tërhoqi me komerdare drejt bregut. Nuk lëvizte fare. Pushuesit filluan t'i jepnin ndihmën e parë dhe i nxorën shumë ujë nga goja. Fillimisht dukej se po rikuperonte dhe nisi të jepte shenja jete e puls, por ndërsa prisnim ambulancën u përkeqësua sërish," – tregon qytetarja për JOQ Albania.
Sipas saj, ambulanca mbërriti rreth 15 minuta pas njoftimit dhe mori personin për ta transportuar drejt spitalit.
Dëshmitarja shton se, bazuar në atë që pa në vendngjarje, dyshohet se pushuesi mund të ketë pësuar një arrest kardiak, megjithatë kjo mbetet e pakonfirmuar zyrtarisht. Ajo shprehet gjithashtu se më vonë ka dëgjuar se personi mund të ketë ndërruar jetë, por thekson se nuk ka informacion zyrtar për fatin e tij.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga qytetarja lidhet me mungesën e rojeve bregdetare në plazhin publik.
"Ky është plazh publik dhe unë nuk kam parë asnjë roje bregdetare gjatë gjithë kohës që ishim aty," – shprehet ajo.
JOQ Albania nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur rrethanat e ngjarjes apo gjendjen shëndetësore të personit të nxjerrë nga deti. Pritet një reagim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar plotësisht çfarë ka ndodhur.