Tavo “qeth” paratë e Himarës: I jep tenderin 80 mln firmës me ofertë më të shtrenjtë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.07.2026, 20:02

Një tjetër tender me hije të forta dyshimi dhe abuzimi publik është finalizuar së fundmi nga Bashkia e Himarës, e drejtuar nga Vangjel Tavo. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pesë autobuza për transportin publik”, ku me sa duket fituesi ishte paracaktuar pa u hapur fare gara.

Fondi limit i vendosur nga Bashkia Himarë për këtë tender ishte 83,333,333 lekë të reja pa TVSH. Në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë:

  • OE "MEKTRIN MOTORS" SHPK me ofertën më të ulët prej 77,000,000 lekë të reja.
  • OE "START CO" SHPK me ofertën prej 79,850,000 lekë të reja.

Në vend që të zgjidhej oferta më ekonomike për të kursyer paratë e taksapaguesve, Bashkia e Himarës ka skualifikuar dhe anashkaluar ofertën më të ulët dhe ia ka falur tenderin firmës "START CO" SHPK me pronarë të regjistruar Shupo Qëndro dhe Anila Qëndro, si dhe administrator Ardenis Qëndro.

Diferenca është e pakuptimtë: Gati 2.8 milionë lekë të reja ose 28 milionë lekë të vjetra më shumë, do të dalin nga xhepat e qytetarëve vetëm e vetëm që tenderin ta marrë firma e paracaktuar.

Si për të vulosur abuzimin, oferta fituese prej 79,850,000 lekësh kap plot 95.8% të fondit limit të vendosur nga vetë bashkia. Kjo përqindje e lartë tregon qartë se garë reale nuk ka pasur, por thjesht një procedurë formale për të çuar fondet publike tek "miqtë", duke kapur tavanin e buxhetit.

Pyetja që lind natyrshëm për Vangjel Tavon dhe komisionin e vlerësimit të ofertave është: Pse u refuzua oferta me 2.8 milionë lekë më e lirë? Çfarë "mrekullie" paskan këta 5 autobuzë të "START CO" që nuk i paskan të tjerët, apo thjesht duheshin ndarë paratë në prag të sezonit?

Autoritetet e drejtësisë dhe kontrollit duhet të hedhin sytë nga Himara, ku tenderat po jepen me çmime tavan e duke skualifikuar ofertat më të ulëta financiare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit