Banorët e një pallati në Tiranë kanë ngritur shqetësimin për një aktivitet që, sipas tyre, po zhvillohet prej kohësh në ambientet e garazhit të përbashkët të godinës, duke krijuar probleme për sigurinë dhe jetesën e përditshme.
Në denoncimin e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, qytetari tregon se një hapësirë që duhet të shërbejë si garazh po përdoret si punishte saldimi, lyerjeje me bojë dhe prerjeje materialesh me fresibël. Sipas tij, tymi, aroma e bojërave dhe zhurmat e vazhdueshme e bëjnë të vështirë hyrjen dhe daljen nga garazhi, ndërsa banorët ndihen të rrezikuar nga aktiviteti që zhvillohet aty.
“Ka momente që nuk guxon të hysh në garazh. Disa prej nesh jemi familjarë me fëmijë nën 1 vjeç. Nuk nxjerrim dot makinat nga garazhi”, shprehet denoncuesi.
Banorët thonë se kanë bërë ankesa pranë Bashkisë së Tiranës, Policisë së Shtetit, IKMT-së, aplikacionit “Tirana Ime” dhe përmes platformës e-Albania, por pa marrë një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, inspektorët kanë konstatuar situatën në terren, por më pas përgjigjja që kanë marrë ka qenë se ambienti figuron si garazh për sende personale dhe jo si punishte.
Madje, banorët kanë hartuar edhe një peticion ku kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve si saldimi, lyerja me bojë, manipulimi i bombolave të gazit dhe çdo veprimtari tjetër që mund të krijojë rrezik zjarri, ndotje apo dëmtim të pronës së përbashkët.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për verifikimin e aktivitetit që zhvillohet në këtë hapësirë dhe marrjen e masave nëse konstatohet shkelje e rregullave të bashkëpronësisë apo e standardeve të sigurisë.
Mesazhi i denoncuesit:
"Kemi bërë disa ankesa për një punishte në garazh. Bëhen saldime, lyerje me bojë dhe prerje me fresibël. Ka momente që nuk guxon të hysh në garazh. Disa jemi familjarë me fëmijë nën 1 vjeç dhe nuk nxjerrim dot makinat. Jam ankuar në bashki, polici, IKMT, te aplikacioni Tirana Ime dhe në e-Albania. Kanë ardhur, e kanë parë rastin, por ende nuk është zgjidhur."
