Një automjet është përfshirë nga flakët në Valias, Kashar, duke shkaktuar panik te banorët e zonës dhe duke rrezikuar të përfshijë edhe mjete të tjera që ndodheshin pranë.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, zjarri dyshohet se ka nisur si pasojë e një shkëndije elektrike në linjën e energjisë, e cila ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në zonën ku ishte parkuar automjeti.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihet automjeti i përfshirë plotësisht nga flakët, ndërsa tymi i dendur mbulon zonën. Pranë automjetit ndodhej edhe një skaf i parkuar, i cili, sipas banorëve, rrezikoi të përfshihej nga zjarri.
Qytetarët tregojnë se momentet e para kanë qenë kritike, ndërsa përveç ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, reagimi i shpejtë i disa banorëve dhe fëmijëve të lagjes ndihmoi që flakët të mos përhapeshin më tej.
Pak minuta më vonë, në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse, të cilat vunë nën kontroll zjarrin dhe shmangën një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Shkaqet e sakta të zjarrit pritet të përcaktohen nga autoritetet pas përfundimit të verifikimeve, ndërsa banorët kërkojnë kontroll të linjave elektrike në zonë, duke shprehur shqetësimin se incidente të ngjashme mund të rrezikojnë banesat dhe jetën e qytetarëve nëse nuk merren masa në kohë.