Banorët e Kacivelit denoncojnë OSHEE: Na lënë pa energji për ditë të tëra, na flasin edhe me arrogancë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.07.2026, 18:02

Banorë të fshatit Kacivel, në Njësinë Administrative Tregan, Bashkia Elbasan, kanë ngritur shqetësimin për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, të cilat, sipas tyre, po i lënë në kushte të vështira, sidomos gjatë ditëve me temperatura që i afrohen 40 gradëve.

Një qytetar, në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, shprehet se ndërprerjet janë bërë të zakonshme dhe se banorët kalojnë pothuajse një ditë pa energji çdo dy ditë. Sipas tij, ka pasur raste kur fshati ka mbetur edhe tre ditë rresht pa furnizim me energji elektrike.

"Pothuajse një herë në dy ditë rrimë një ditë pa energji. Kemi pasur raste që kemi ndenjur edhe tre ditë rresht pa drita. Nuk pimë dot as një gotë ujë të ftohtë, ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë", shprehet ai.

Qytetari thotë se energjia për zonën furnizohet nga OSHEE Cërrik dhe se përpjekjet për të marrë informacion apo zgjidhje kanë rezultuar të pasuksesshme. Ai pretendon se telefonatat në numrat e vënë në dispozicion shpesh mbeten pa përgjigje, ndërsa kur arrijnë të komunikojnë me punonjësit, përballen me sjellje të papërshtatshme.

Sipas denoncuesit, një punonjës i është përgjigjur me fjalët: "Mos më merr më në telefon. Çfarë do? S'më plas fare, se e merr ti për të 99-ën herë." Ai shton se, kur i ka paralajmëruar se do t'i drejtohej medias, pretendon se ka marrë përgjigjen: "Merrini gazetarët, s'na intereson."

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin normal të furnizimit me energji elektrike dhe një reagim nga OSHEE lidhur me situatën e krijuar dhe pretendimet për mënyrën e komunikimit me qytetarët.

JOQ Albania i bën thirrje OSHEE të japë një reagim zyrtar mbi këtë denoncim dhe masat që do të merren për zgjidhjen e problematikës së ngritur nga banorët e Kacivelit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit