Një njoftim i fundit i Jet Bank ka rikthyer në qendër të vëmendjes skandalin e radhës me privatësinë e qytetarëve, duke dëshmuar se si shteti shqiptar, pas një historie të gjatë me rrjedhje spektakolare të dhënash, tani ka vendosur t'ia dorëzojë ato me dëshirë dhe me bekimin e tij një banke private me kapital nga Izraeli. Banka ka bërë të ditur se ka integruar procesin e marrjes elektronike të të dhënave nga Regjistrat Shtetërorë përmes platformës e-Albania, duke i hapur rrugë një kontrolli të paprecedentë mbi jetën e çdo shqiptari.
Edhe pse funksionaliteti nuk është ende aktiv, vetë banka pranon pa dorashka se sapo lidhja me Regjistrat Shtetërorë të bëhet e disponueshme, do të ketë në dorë çdo informacion jetik të qytetarëve për shqyrtimin e aplikimeve për kredi, duke i kthyer regjistrat shtetërorë në një pazar të hapur për interesat e huaja.
Sipas njoftimit, ky sistem cinik synon ta paraqesë veten si "modernizim" dhe "eficiencë", kinse për të shmangur radhët, ndërkohë që në realitet eliminon çdo filtër mbrojtës dhe i jep një subjekti privat qasje të plotë për të verifikuar në sekondë identitetin, të ardhurat, informacionet tatimore, sigurimet shoqërore dhe çdo detaj tjetër intim të kapacitetit kreditues të qytetarëve.
Jet Bank thekson se deri në momentin e publikimit nuk ka marrë ende akses të plotë dhe se po përgatit terrenin ligjor duke premtuar se do të përditësojë njoftimin e privatësisë, një formalitet burokratik që shërben vetëm sa për t'i hedhur hi syve opinionit publik përpara se t'i jepet çelësi i kasafortës digjitale të shtetit një banke të huaj.
Në rastet kur përpunimi i të dhënave gjoja do të bazohet te pëlqimi i qytetarit, banka betohet se ai do të merret në mënyrë të veçantë dhe se gjithçka do të jetë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale, duke përdorur fjalë të bukura si transparencë, minimizim dhe konfidencialitet, ndërkohë që realiteti flet për një tjetër dorëzim sovraniteti digjital.
Megjithatë, ky zhvillim skandaloz ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e informacionit të shqiptarëve, të cilët pasi panë targat, pagat dhe numrat e telefonit të tyre të shpërndara në çdo cep, tani shohin se si shteti ynë jo vetëm që nuk i mbron, por ia ofron kasafortën e të dhënave personale në pjatë të argjendtë institucioneve private dhe investitorëve të huaj.
Në thelb, teksa Shqipëria vazhdon të dështojë me sigurinë kibernetike, vetë Jet Bank konfirmon se po përgatitet të përdorë e-Albania për të kontrolluar çdo qytetar, duke shënuar një nga goditjet më të rënda ndaj sigurisë kombëtare dhe privatësisë në raportin mes shtetit dhe korporatave private.