Bashkimi, elektricisti që humbi jetën ndërsa punonte për rikthimin e energjisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.07.2026, 11:05

Bashkim Boçi, është elektricist i OSHEE i cili humbi jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm gjatë kryerjes së detyrës në Himarë.

54-vjeçari ishte pjesë e OSSH Elbasan dhe ishte dërguar në Himarë si punëtor sezonal për të ndihmuar ekipet që po punonin pa ndërprerje për rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta. Rreth orës 03:00, gjatë ndërhyrjes në rrjet, atij iu shkëput rripi i sigurisë me të cilin ishte i lidhur në shtyllë dhe ra nga një lartësi rreth 9 metra.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Prej vitit 2000, Bashkim Boçi ishte pjesë e OSSH Elbasan, ku shërbeu për 25 vite me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim të lartë. Ai njihej nga të gjithë si një punonjës shembullor, korrekt dhe i palodhur, gjithmonë i gatshëm të ishte në krye të detyrës, edhe në situatat më të vështira.

Humbja e Bashkim Boçit është një dhimbje e madhe për familjen e tij, për miqtë, kolegët dhe për të gjithë OSSH-në. Ai do të kujtohet si një njeri me integritet, një profesionist i përkushtuar dhe një koleg i respektuar, që ia kushtoi jetën shërbimit ndaj qytetarëve.

Sakrifica e tij në krye të detyrës mbetet një dëshmi e përkushtimit të punonjësve të sektorit të energjisë, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira dhe rreziqeve, punojnë çdo ditë për të garantuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit