Stuhia e fuqishme që goditi mbrëmjen e së martës Sarandën ka lënë pas dëme të shumta materiale, ndërsa banorët e një pallati 12-katësh në Lagjen 4 thonë se ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga institucionet.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania shihet se era e fortë ka shkulur pothuajse të gjithë çatinë e pallatit në rrugën "Idriz Alimadhi", pranë Portit të Vjetër. Si pasojë, apartamentet në katin e fundit kanë mbetur të ekspozuara, ndërsa banorët ndodhen në një situatë të vështirë.
Pjesë të çatisë, tjegulla dhe dërrasa kanë rënë mbi rrugë, duke dëmtuar automjetet e parkuara poshtë pallatit dhe duke rrezikuar kalimtarët.
Sipas denoncimit të një banori, Emergjenca Civile është njoftuar që mbrëmjen e djeshme dhe sërish gjatë ditës së sotme, por deri në momentin e dërgimit të denoncimit nuk ishte kryer asnjë ndërhyrje.
"Jam një banor i pallatit 12-katësh në rrugën 'Idriz Alimadhi', Lagjja 4, pranë Portit të Vjetër në Sarandë. Pas stuhisë së mbrëmshme pallati ka pësuar shumë dëme materiale. Kati i fundit është komplet në qiell të hapur. Makinat e parkuara poshtë janë dëmtuar të gjitha nga rënia e tjegullave dhe dërrasave nga çatia. Është lajmëruar Emergjenca Civile mbrëmë dhe sot, por akoma nuk kemi asnjë ndihmë. Ju lutem denonconi rastin."
Banorët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë të autoriteteve për sigurimin e godinës dhe vlerësimin e dëmeve, pasi rreziku mbetet i pranishëm edhe pas kalimit të stuhisë.