Stuhia e fuqishme që ka përfshirë mbrëmjen e sotme jugun e Shqipërisë ka sjellë probleme në disa qytete bregdetare, mes tyre Vlora, Himara dhe zona të tjera përgjatë vijës së jugut.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania shihet forca e erës dhe reshjet intensive të shiut, të cilat kanë përfshirë zonën brenda pak minutash. Një nga momentet më të forta të regjistruara është rrëzimi i një peme, e cila nuk ka mundur t'i rezistojë erërave të fuqishme që kanë shoqëruar stuhinë.
Videoja tregon intensitetin e motit të keq, ndërsa era e fortë ka vështirësuar qarkullimin dhe ka detyruar qytetarët të kërkojnë strehim. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar si pasojë e rrëzimit të pemës.
Më herët gjatë mbrëmjes, moti i keq përfshiu Vlorën dhe Himarën, ku pushuesit u larguan nga plazhet për shkak të reshjeve, shkarkesave elektrike dhe erërave të forta. Po ashtu, në zonën e Llogarasë u raportua edhe për një vatër zjarri, e cila dyshohet se është shkaktuar nga goditja e një rrufeje.
Meteorologët kishin paralajmëruar për një përkeqësim të kushteve atmosferike në Ballkanin Perëndimor, me Shqipërinë që ndodhet nën ndikimin e një sistemi stuhish të shoqëruar me reshje intensive, erëra të forta dhe aktivitet të lartë elektrik.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin pranë pemëve, strukturave të paqëndrueshme dhe zonave të hapura deri në normalizimin e situatës.