Stuhi e fortë në Vlorë e Llogara, rrufeja shkakton zjarr në malin e Llogarasë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.07.2026, 22:34

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë mbrëmjen e sotme jugun e vendit, duke goditur Vlorën dhe Himarën me reshje intensive shiu, erëra të forta dhe shkarkesa elektrike.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamje ku shihet se moti ka ndryshuar brenda pak minutash. Turistët dhe pushuesit janë detyruar të largohen nga plazhet, ndërsa rrugët janë boshatisur për shkak të shiut të dendur dhe erës së fortë.

Pamjet më spektakolare vijnë nga zona e Llogarasë, ku një qytetar ka filmuar momentin kur një rrufe godet malin. Sipas tij, menjëherë pas goditjes është shfaqur një vatër zjarri, që dyshohet se është shkaktuar pikërisht nga shkarkesa elektrike. Videoja tregon flakët që shfaqen pak çaste pas goditjes së rrufesë.

Meteorologët kishin paralajmëruar më herët për mbërritjen e një sistemi të fuqishëm stuhish në Ballkanin Perëndimor, me Shqipërinë të përfshirë në zonën me rrezik për reshje intensive, erëra të forta, shkarkesa elektrike dhe breshër në disa zona.

Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme të konsiderueshme në Vlorë dhe Himarë, ndërsa situata vijon të monitorohet. Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë forcën e stuhisë, e cila ka ndryshuar plotësisht panoramën e mbrëmjes në bregdetin shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit