Golem: “Prej dy javësh pa kosha plehrash, mbeturinat hidhen në tokë”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 21.07.2026, 21:13

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Golemi, ku ngre shqetësimin për grumbullimin e mbeturinave pranë zonës së resorteve turistike, në kulmin e sezonit veror.

Sipas denoncuesit, prej rreth dy javësh mungojnë koshat e mbeturinave në zonën pranë Fafa Resort, duke bërë që mbeturinat të hidhen direkt në tokë, ndërsa, sipas tij, shërbimi i pastrimit nuk po ndërhyn për t'i larguar.

Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania shihen qese plastike, kuti kartoni dhe mbetje të ndryshme të shpërndara përgjatë rrugës, në një zonë ku çdo ditë kalojnë pushues, banorë dhe turistë.

"Postoje pak të lutem. Zona Golem, pranë Fafa Resort. Kemi dy javë pa kosh plehrash. Mbeturinat hidhen në tokë dhe Bashkia nuk kalon t'i mbledhë," shkruan qytetari në mesazhin e tij.

Sipas banorëve, situata po krijon jo vetëm ndotje të mjedisit, por edhe një imazh negativ për një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit gjatë muajve të verës.

Ata i bëjnë thirrje Bashkisë Kavajë dhe strukturave përgjegjëse për pastrimin urban që të ndërhyjnë sa më parë për vendosjen e koshave të mbeturinave dhe pastrimin e zonës, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i situatës gjatë sezonit turistik.

JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi nga Bashkia Kavajë lidhur me këtë denoncim dhe masat që do të merren për zgjidhjen e problemit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit