Kukës: “Gurorja na kanë lënë pa ujë vaditës prej tre javësh”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 21.07.2026, 20:29

Një grup banorësh nga fshati Breglum, Bashkia Kukës, i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku pretendojnë se prej tre javësh kanë mbetur pa ujë vaditës, në një nga periudhat më të rëndësishme për bujqësinë.

Sipas tyre, mungesa e ujit po u shkatërron kulturat bujqësore, ndërsa parcela të tëra me misër kanë nisur të thahen.

Në pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania shihen kanali vaditës pa rrjedhë uji, një gurore që operon pranë fillimit të kanalit, si dhe sipërfaqe të mëdha me misër të tharë.

Banorët pretendojnë se problemi lidhet me aktivitetin e gurores në hyrje të kanalit vaditës.

"Kemi tre javë pa ujë vaditës. Sadri Matmuja, që ka gurore në fillim të kanalit, ka vendosur tuba me diametër shumë të vogël në hyrje të kanalit dhe, sipas nesh, kontrollon rrjedhën e ujit duke e ndërprerë sa herë të dojë. Na është tharë i gjithë misri dhe po humbasim prodhimin," shprehen banorët në denoncimin e tyre.

Sipas qytetarëve, tubat e vendosur në hyrje të kanalit nuk lejojnë kalimin normal të ujit drejt tokave bujqësore, duke bërë që fermerët e zonës të mbeten pa mundësi vaditjeje në kulmin e sezonit.

Banorët thonë se kanë bërë kallëzim pranë Policisë së Shtetit, por pretendojnë se deri më tani nuk është marrë asnjë masë. Ata shtojnë gjithashtu se dyshojnë për një konflikt interesi, duke pretenduar se Sadri Matmuja është i afërm i kryetarit të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj. JOQ Albania nuk është në gjendje ta verifikojë këtë pretendim dhe e publikon atë vetëm si pjesë të denoncimit të qytetarëve.

Fermerët shprehen se, nëse situata nuk zgjidhet menjëherë, dëmet do të jenë të parikuperueshme, pasi një pjesë e madhe e prodhimit të këtij viti është drejt tharjes së plotë.

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Kukës, institucioneve përgjegjëse për ujitjen, si dhe Policisë së Shtetit, të verifikojnë situatën në terren, të sqarojnë nëse ka pasur ndërhyrje në kanalin vaditës dhe nëse aktiviteti i gurores po ndikon në furnizimin me ujë të fermerëve, siç pretendojnë banorët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit