Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet në autobusët e linjës urbane të Astirit, e cila operohet nga kompania Green Line, duke ngritur shqetësime për mungesën e higjienës dhe vonesat e shpeshta në shërbim.
Së bashku me denoncimin, qytetari ka dërguar pamje, ku shihen sedilje të grisura, të ndotura dhe në gjendje të amortizuar. Në video vihet re se tapiceria është e dëmtuar, ndërsa sediljet kanë njolla të shumta papastërtie, një situatë që ngre pikëpyetje mbi standardet e mirëmbajtjes së mjeteve që përdoren çdo ditë nga qindra qytetarë.
Përveç kushteve të papërshtatshme, denoncuesi thotë se autobusët e linjës Astir vonohen shpesh, në disa raste deri në një orë, duke krijuar vështirësi për pasagjerët që mbështeten te transporti urban për të shkuar në punë, shkollë apo për të kryer aktivitetet e përditshme.
Qytetari shkruan:
"Turp! Kjo është gjendja e autobusëve me të cilët udhëtojmë çdo ditë. Sedilje të pista, dysheme me mbeturina, papastërti kudo. Paguajmë biletën, por na trajtojnë si bagëti. Green Line, ju lutem merrni masa! Higjiena është minimumi që kërkojmë. Pastaj mos të flasim edhe për vonesat që bëjnë me nga një orë."
Qytetarët paguajnë rregullisht biletën dhe kanë të drejtë të marrin një shërbim dinjitoz, me autobusë të pastër, të mirëmbajtur dhe që respektojnë oraret e lëvizjes. Prandaj, pritet një reagim nga kompania Green Line dhe institucionet përgjegjëse për të adresuar këtë problematikë dhe për të garantuar kushte normale udhëtimi për pasagjerët.