Afera e “Tigrave”/ KESH hap tenderin 20 mln euro për e anijet e ndryshkuara në Vlorë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.07.2026, 20:28

Në mes të vapës së korrikut dhe larg vëmendjes së opinionit publik, një nga aferat më të diskutuara energjetike në vend po thellohet me miliarda lekë të tjera nga buxheti i shtetit.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), e drejtuar nga Viola Haxhiademi, ka hapur zyrtarisht një procedurë prokurimi me një fond limit prej 1.892.000.000 lekësh ose mbi 20.1 milionë euro. Ndryshe nga sa mund të pritej, kjo shumë e konsiderueshme nuk do të përdoret për të prodhuar energji elektrike, por vetëm për “operimin dhe mirëmbajtjen” e dy anijeve gjeneruese, të njohura ndryshe si TEC-et lundruese apo “Tigrat” e Triportit në Vlorë.

Karakatinat pa punë që “hanë” miliona çdo ditë

Marrja me qira e dy TEC-eve lundruese në gjirin e Vlorës konsiderohet prej kohësh si një nga kostot më të rënda financiare për shtetin shqiptar. Që nga dita e ankorimit të tyre në zonën e Triportit, këto impiante kanë prodhuar pak ose aspak energji elektrike, ndërsa faturat e tyre rriten çdo ditë:

  • Shteti paguan çdo muaj qindra mijëra euro vetëm për qiranë e anijeve.

  • Mbi këtë faturë shtohen kostot e karburantit, sigurimit të aseteve dhe pagave të stafit.

  • Me kalimin e kohës, dy anijet kanë filluar të shfaqin edhe shenjat e para të ndryshkut dhe amortizimit, pa dhënë asnjë rezultat konkret në rrjetin energjetik kombëtar.

Prokurimi i ri mbi kufirin e lartë monetar

Sipas dokumenteve të procedurës, objekti i tenderit është “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”. Bëhet fjalë për një procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar, ku vlera e parashikuar konsiderohet nga ekspertët e fushës si tejet e fryrë.

Në vend që institucioni qiramarrës të rishikonte dobinë ekonomike të këtyre karakatinave apo të përballej me hetime administrative e gjyqësore, KESH ka zgjedhur të vazhdojë derdhjen e fondit limit prej 20.1 milionë eurosh për mbajtjen e tyre në punë teknike.

Miliona euro edhe për TEC-in e amortizuar në tokë

Situata bëhet edhe më absurde kur krahasohet me mjedisin përreth në Vlorë. Jo shumë larg vendit ku janë akomoduar dy anijet lundruese, qëndron prej vitesh i konservuar edhe TEC-i tokësor i Vlorës, një tjetër projekt që i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 130 milionë euro dhe nuk ka punuar pothuajse kurrë për shkak të defekteve në sistemin e ftohjes.

Sot, shteti shqiptar ndodhet në situatën paradoksale ku paguan miliona euro për të konservuar TEC-in e dështuar në tokë, dhe njëkohësisht derdh dhjetëra miliona euro të tjera për të mbajtur me frymë dy anijet e ndryshkuara në det.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit