Qindra qytetarë të Përrenjasit kanë dalë në protestë kundër mundësisë që bashkia e tyre të shkrihet dhe të funksionojë si njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit, një ide e përmendur në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë qytetarë të mbledhur në qendër të qytetit, të cilët kërkojnë që Përrenjasi të mos humbasë statusin e bashkisë. Protestuesit e cilësojnë këtë një kauzë qytetare dhe jo politike, duke theksuar se po mbrojnë identitetin, historinë dhe të ardhmen e qytetit të tyre.
Reagimet nisën pas deklaratave të kryetarit të Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, i cili përmendi mundësinë që Bashkia e Përrenjasit të bashkohet me atë të Librazhdit.
Kundërshtimi nuk është kufizuar vetëm te protesta. Në qytet ka nisur edhe firmosja e një peticioni, i cili deri më tani është mbështetur nga qindra banorë. Ata kërkojnë që qeveria dhe Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale të tërhiqen nga çdo plan që parashikon shkrirjen e bashkisë.
Në ditët e fundit, kundër këtij propozimi janë shprehur edhe ish-kryetarë bashkie, ish-deputetë, këshilltarë bashkiakë dhe figura të njohura të zonës, të cilët argumentojnë se një vendim i tillë do të dëmtonte përfaqësimin institucional, administrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të Përrenjasit.
Banorët theksojnë se Bashkia e Përrenjasit numëron mbi 20 mijë banorë dhe, sipas tyre, plotëson kriteret për të vijuar të funksionojë si njësi e pavarur vendore, ndërsa kujtojnë se në vend ka edhe bashki me një numër dukshëm më të vogël banorësh.
Qytetarët kanë paralajmëruar se peticioni do t'u dërgohet institucioneve përgjegjëse dhe se protestat do të vijojnë nëse propozimi për bashkimin me Librazhdin mbetet pjesë e diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.