Vdekja e 42-vjeçarit gjatë arrestimit trondit Italinë, protesta në Bolonja dhe hetim ndaj policisë

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 21.07.2026, 19:04

Një ngjarje e rëndë ka shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi një 42-vjeçar humbi jetën gjatë arrestimit nga policia në qytetin e Bolonjës. Vdekja e tij ka nxitur protesta qytetare, reagime politike dhe një hetim zyrtar për të zbardhur rrethanat e incidentit.

Viktima është Abderrahim Fakir, 42 vjeç, me origjinë nga Maroku, por banues në Itali që prej moshës pesëvjeçare. Sipas mediave italiane, ai ndërroi jetë të dielën ndërsa mbahej i shtrirë në tokë nga dy efektivë policie, të cilët po prisnin mbërritjen e ambulancës.

Pamjet e publikuara nga mediat italiane tregojnë Fakirin duke kërkuar ndihmë disa herë, ndërsa përsërit se nuk ndihet mirë. Sipas raportimeve, 42-vjeçari vuante nga probleme me zemrën dhe astma. Në video shihet se, pasi ai ndalon së lëvizuri, efektivët i lidhin duart me pranga dhe vetëm pak minuta më vonë, së bashku me ekipin e ambulancës, kontrollojnë nëse kishte ende shenja jete.

Policia ishte thirrur në vendngjarje nga banorë të zonës, të cilët kishin raportuar se Fakir po shfaqte sjellje të çrregullta. Sipas autoriteteve, oficerët u kishin komunikuar mjekëve se ai po kalonte një episod me probleme të shëndetit mendor.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim në opinionin publik dhe është krahasuar nga shumë aktivistë me rastin e George Floyd, i cili humbi jetën gjatë arrestimit nga policia amerikane në vitin 2020. Disa komentues e kanë lidhur gjithashtu incidentin me debatet e fundit mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit ndaj personave në gjendje vulnerabël.

Mbrëmjen pas ngjarjes, qindra qytetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues politikë dolën në protestë në rrugët e Bolonjës, duke kërkuar drejtësi për 42-vjeçarin dhe një hetim të plotë mbi veprimet e efektivëve.

Mes reagimeve ishte edhe senatorja Ilaria Cucchi, e cila e cilësoi ngjarjen si një "akt çnjerëzor", duke kujtuar se edhe vëllai i saj humbi jetën në rrethana të ngjashme gjatë ndalimit nga policia në vitin 2009. Në krahun tjetër, zëvendëskryeministri Matteo Salvini dhe përfaqësues të koalicionit qeverisës kanë shprehur mbështetjen e tyre për policinë, duke kërkuar që hetimet të zhvillohen pa paragjykime.

Prokuroria e Bolonjës ka nisur një hetim penal për ngjarjen dhe ka sekuestruar pamjet e regjistruara nga kamerat trupore të dy efektivëve të përfshirë në arrestim. Hetuesit pritet të analizojnë videot dhe raportet mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse procedurat e ndjekura nga policia kanë qenë në përputhje me ligjin apo nëse ka përgjegjësi penale për vdekjen e 42-vjeçarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit