Denoncimi nga Dhërmiu:”Po i bëjnë masakër kurorës së gjelbër të Dhërmiut”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 21.07.2026, 18:32
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Dhërmiu, ku ngre shqetësimin për ndërhyrjet që, sipas tij, po kryhen në shpatet e gjelbra mbi vijën bregdetare.
Në videon e dërguar në redaksi shihen mjete të rënda pune që operojnë në kodrat mbi plazh, ndërsa qytetari pretendon se po kryhen gërmime dhe pastrim i sipërfaqeve me bimësi, duke ndryshuar pamjen natyrore të zonës.
Sipas tij, ndërhyrjet po zhvillohen në një nga pjesët më të njohura të Rivierës Shqiptare, në kulmin e sezonit turistik, ndërsa shpreh shqetësimin se peizazhi i gjelbër që karakterizon Dhërmiun po dëmtohet gradualisht.
"Po i bëjnë masakër kurorës së gjelbër të Dhërmiut. Çdo ditë futen eskavatorë dhe po copëtojnë malin. Nëse vazhdon kështu, nuk do të mbetet më asgjë nga natyra që e bën këtë zonë kaq të veçantë," shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Në pamje dallohet plazhi i mbushur me pushues, ndërsa në sfond shihen mjetet e rënda duke punuar në shpatet e malit, sipër zonës turistike.
Qytetari u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë nëse punimet po kryhen në përputhje me lejet dhe legjislacionin në fuqi, si dhe të sqarojnë natyrën e ndërhyrjeve që po zhvillohen në këtë zonë.

JOQ Albania nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse punimet e filmuara janë të ligjshme apo nëse zhvillohen mbi bazën e lejeve përkatëse. Për këtë arsye, rasti paraqitet si një denoncim qytetar dhe mbetet në pritje të një reagimi nga institucionet kompetente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit