Në kulmin e valës së të nxehtit që ka përfshirë Shqipërinë, me temperaturat që në shumë zona kanë prekur 40 gradë Celsius, një nënë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet alarmante në Pediatrinë e Përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Sipas saj, në repart mungojnë kondicionerët, ndërsa fëmijët e shtruar detyrohen të përballojnë vapën përvëluese me dritare të hapura, një zgjidhje që nuk mjafton aspak në këto temperatura ekstreme. Në pamjet e dërguara në redaksi, nëna shihet duke përdorur një erashkë dore për t'i krijuar sadopak freski fëmijës së saj.
Qytetarja shprehet se temperaturat e larta po e bëjnë të vështirë edhe punën e stafit mjekësor, i cili, sipas saj, detyrohet të kryejë terapitë në kushte tepër të rënda.
"Pediatria e Përgjithshme në QSUT, po vdesin fëmijët nga vapa. Nuk kanë kondicioner. Terapitë nuk arrijnë t'i përfundojnë nga vapa e tmerrshme, me dritare hapur ndërkohë që jashtë është 40 gradë."
Është e vështirë të kuptohet se si një repart që kujdeset për pacientët më të vegjël mund të funksionojë në kushte të tilla gjatë muajit korrik, kur temperaturat arrijnë nivele ekstreme. Fëmijët e sëmurë kanë nevojë për një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt, jo për dhoma ku vapa bëhet një rrezik shtesë për shëndetin e tyre.
JOQ Albania u bën thirrje drejtuesve të QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë të reagojnë menjëherë për të verifikuar këtë denoncim dhe për të marrë masa urgjente, në mënyrë që fëmijët dhe stafi mjekësor të mos detyrohen të përballojnë kushte të tilla në mes të verës.