Eduard Dervishaj, shqiptari që kontribuon në sukseset e futbollit spanjoll

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.07.2026, 11:54

Eduard Dervishaj është një nga shqiptarët që ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në administrimin e futbollit evropian. Prej vitesh ai është pjesë e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit, ku ka mbajtur disa nga pozicionet më të rëndësishme drejtuese, përfshirë atë të zëvendëssekretarit të përgjithshëm. Aktualisht, ai drejton Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Operacioneve.

I lindur dhe i rritur në Tiranë, Dervishaj jeton në Spanjë që prej vitit 1997. Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë kyçe e organizimit të katër finaleve të UEFA Champions League, ndërsa një vit më parë iu besua drejtimi i projektit organizativ të Kupës së Botës 2030, që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

Në Kupën e Botës 2026, 65-vjeçari ishte pjesë e delegacionit zyrtar të kombëtares së Spanjës, e cila zhvilloi një turne të shkëlqyer në Amerikën e Veriut dhe në fund ngriti trofeun e kampiones së botës.

Pas suksesit historik, Dervishaj publikoi në rrjetet sociale fotografi me trofeun e Botërorit dhe trajnerin Luis de la Fuente, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në këtë rrugëtim. Ai theksoi se pati privilegjin të përjetonte nga afër Kupën e tij të dytë të Botës.

Përpara se të ndërtonte karrierën e suksesshme në Spanjë, Dervishaj ka lënë gjurmë edhe në futbollin shqiptar. Ai ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në periudhën 1992–1996, ndërsa më herët ka qenë edhe trajner i Dinamos së Tiranës, duke nisur kështu rrugëtimin e tij në botën e futbollit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit