Një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pasi u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas një incidenti të ndodhur gjatë një zhytjeje në det paraditen e kësaj të marte.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte pjesë e një grupi zhytësish që po eksploronin zonën e Radhimës, pranë anijes së mbytur "Spitaliers". Gjatë zhytjes, dyshohet se ajo ka pësuar mungesë oksigjeni ose një problem tjetër serioz shëndetësor.
Menjëherë pasi u ndje keq, turistja u ndihmua nga zhytësit e tjerë, të cilët e nxorën në sipërfaqe dhe e transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Burime nga spitali bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje kritike, me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit intensiv që iu ofrua menjëherë, ajo nuk arriti t'u mbijetonte komplikacioneve dhe ndërroi jetë.
Shkaqet e sakta të ngjarjes pritet të përcaktohen pas hetimeve dhe ekspertizës mjeko-ligjore.