Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 10 të Korçës, ku 66-vjeçari Irakli Çinoku u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, pasi mjeti u përfshi nga flakët.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, viktima dyshohet se kishte kaluar një periudhë të vështirë personale dhe jetonte i vetëm pas largimit të bashkëshortes së tij drejt Greqisë, së bashku me dy fëmijët e çiftit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendngjarje është gjetur një shënim i lënë nga 66-vjeçari, ku ai shprehte pendesë për marrëdhënien e tij me familjen.
“Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”, shkruhej në letrën e tij.
Ky element po verifikohet nga hetuesit si pjesë e pistës së vetëflijimit. Ekspertët po vijojnë këqyrjen e automjetit dhe mbledhjen e provave për të përcaktuar mënyrën se si ka ndodhur ngjarja. Policia dhe Prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.