Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një atentati me armë zjarri të regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen "Vullnetari" në Elbasan.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në verandën e një lokali, ku një person ende i paidentifikuar ka hapur zjarr me pistoletë në drejtim të tre personave që ndodheshin aty.
Të plagosur kanë mbetur Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç, dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç. Ata janë transportuar menjëherë në spital, ndërsa, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një detaj i veçantë i ngjarjes është fakti se në momentin e atentatit, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Sapo ka dëgjuar të shtënat, ai ka dalë menjëherë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë arratisjes, autori ka hedhur armën e zjarrit që dyshohet të jetë përdorur në atentat, por ka arritur të largohet në thellësi të lagjes, duke humbur gjurmët.
Pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në një perimetër të gjerë, ndërsa vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale në vendin e ngjarjes, duke sekuestruar provat materiale dhe pamjet e kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.
Elbasan / Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë plagosur dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.