Ka nisur mbrëmjen e kësaj të hëne dita e 51-të e protestës qytetare në Tiranë.
Pas grumbullimit në Sheshin “Skënderbej”, qytetarët kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohen fjalimet e përnatshme dhe të përsëriten kërkesat e protestuesve.
Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, pjesëmarrësit marshojnë me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë rrugës dëgjohen thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Protestuesit shprehen se lëvizja tashmë përfaqëson një reagim më të gjerë qytetar ndaj korrupsionit, kostos së jetesës, emigrimit, mungesës së perspektivës për të rinjtë dhe çështjeve të tjera që, sipas tyre, vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.
Marshimi pritet të përfundojë përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahet tubimi kryesor i mbrëmjes. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.