IGJEO paralajmëron rrezik të lartë për zjarre në pyje, temperaturat e së martës kapin 40 gradë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.07.2026, 18:38

Instituti i Gjeoshkencave ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe ka paralajmëruar për një situatë mjaft kritike sa i përket mundësisë së shpërthimit të zjarreve në pyje gjatë pasdites së kësaj të hëne dhe gjatë gjithë ditës së martë. Kushtet atmosferike, të ndikuar nga temperaturat ekstremisht të larta që do të përfshijnë vendin, pritet ta rëndojnë edhe më tej këtë panoramë, duke e bërë ditën e martë veçanërisht të ndjeshme ndaj përhapjes së flakëve ne sipërfaqe të gjelbra.

Sipas të dhënave zyrtare të institutit, pjesa më e madhe e territorit shqiptar ndodhet në zonën e kuqe sa i përket këtij rreziku. Qarqet si Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Korça, Vlora dhe Gjirokastra janë më të ekspozuarat ndaj vatrës së mundshme të zjarreve. Nga ana tjetër, në qarqet e veriut si Shkodra, Kukësi dhe Dibra rreziku i përgjithshëm paraqitet më i moderuar, pse ku në disa zona të caktuara, kryesisht në jugperëndim të Shkodrës dhe Dibrës, priten gjithashtu nivele të larta rrezikshmërie.

Për sa i përket kushteve të motit, reshjet do të jenë të pakta dhe pa ndikim të madh në uljen e rrezikut. Reshje të dobëta dhe shtrëngata lokale parashikohen vetëm në Shkodër dhe Kukës, ndërsa në Dibër e Lezhë reshjet do të jenë minimale. Në zona si Tirana, Elbasani, Korça dhe Gjirokastra priten vetëm reshje krejtësisht të izoluara, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbetet tërësisht e thatë.

Situata do të rëndohet më tej nga temperaturat që do të arrijnë maja të larta gjatë ditës së martë. Mërkuri në termometër pritet të shënojë deri në 37 gradë Celsius në zonat bregdetare, deri në 40 gradë Celsius në zonat e ulëta, si dhe deri në 33 gradë Celsius në ato malore. Edhe pse era në përgjithësi do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, ajo pritet të forcohet për periudha të shkurtra në zonat malore, çka shton mundësinë e zhvillimit të shpejtë të vatrave të zjarrit nëse ato krijohen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit