Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ai e cilëson si një prerje masive të pemëve në zonën pyjore të Spilles, në Bashkinë Kavajë.
Në videon e dërguar në redaksi shihen pemë të prera dhe punime në një pjesë të pyllit, ndërsa qytetari shpreh shqetësimin se dëmtimi i zonës po vazhdon dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
"Përshëndetje JOQ. Do doja ta publikonit këtë video. Jemi në fshatin Spille, Kavajë. Duhet ta shohin çfarë masakre po i bëjnë pyllit. Do doja shumë ta publikonit. Faleminderit.", shkruan ai.
Qytetari nuk jep informacion nëse prerjet po kryhen nga subjekte të pajisura me leje apo jo, por kërkon që rasti të verifikohet nga autoritetet.
Sipas legjislacionit shqiptar, prerja e pemëve në fondin pyjor lejohet vetëm në rastet e parashikuara me ligj dhe me autorizimet përkatëse. Prerjet e paautorizuara mund të përbëjnë shkelje administrative ose penale, në varësi të rrethanave.
Për këtë arsye, banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të kryejnë verifikime në terren për të sqaruar nëse punimet që po zhvillohen në pyllin e Spilles janë të ligjshme dhe në përputhje me lejet e nevojshme.
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga Bashkia Kavajë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe institucionet e tjera përgjegjëse lidhur me shqetësimin e ngritur nga qytetari.