Vdekja tragjike e shqiptares në pusetën e hapur, familja kërkon drejtësi në gjykatë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.07.2026, 11:47

Familja e Donike Gocajt, 56-vjeçares shqiptare që humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur në Midtown Manhattan, ka ngritur padi ndaj kompanisë Con Edison, duke e akuzuar për neglizhencë dhe mosmarrjen e masave për të siguruar kapakun e pusetës.

Sipas padisë, kompania kishte dijeni se kapaku në East 52nd Street, pranë Fifth Avenue, mund të zhvendosej dhe kishte marrë ankesa të mëparshme për gjendjen e tij, por nuk kishte ndërhyrë për ta riparuar ose siguruar.

Partneri i saj, Jashar Kameraj, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes, u përpoq ta nxirrte nga puseta, por pësoi djegie dhe dëmtime nga avulli i nxehtë. Edhe ai kërkon dëmshpërblim përmes padisë.

Ngjarja ndodhi më 18 maj, rreth orës 23:20. Gocaj sapo kishte parkuar automjetin e saj dhe, menjëherë pasi doli, ra rreth 3 metra në pusetën e hapur. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Autopsia përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte kombinimi i djegieve nga lëngjet dhe avulli i nxehtë, dëmtimet nga thithja e avullit, si edhe traumat e forta në trup të shkaktuara nga rënia.

Një dëshmitar okular tregoi se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Ai pa Gocajn të dilte nga makina, të hidhte një hap përpara dhe më pas të zhdukej. Sipas tij, gruaja dëgjohej duke bërtitur nga brenda pusetës: "Po vdes", ndërsa kalimtarët përpiqeshin ta ndihmonin.

Në kohën e ngjarjes, Con Edison deklaroi se kapaku ishte zhvendosur pak minuta më parë pasi mbi të kishte kaluar një kamion i rëndë me shumë akse. Megjithatë, familja këmbëngul se kompania mban përgjegjësi, pasi nuk kishte siguruar zonën dhe nuk kishte vepruar me shpejtësi për të eliminuar rrezikun.

Padia e cilëson sjelljen e Con Edison si "tepër neglizhente" dhe "të papërgjegjshme", duke pretenduar se kompania lejoi që puseta të mbetej e hapur dhe e pambrojtur, çka çoi në pasojat tragjike.

Nga ana tjetër, Con Edison ka shprehur ngushëllime për familjen, por ka refuzuar të komentojë mbi akuzat për shkak se çështja ndodhet në proces gjyqësor.

Sipas të dhënave të NYC Open Data, nga 1 janari deri në ditën e aksidentit ishin regjistruar 717 ankesa për kapakë pusetash të munguar ose të dëmtuar në New York, pothuajse dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit