Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pak minuta më parë në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ku, sipas informacioneve paraprake dhe pamjeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, janë përfshirë disa automjete.
Nga pamjet e siguruara, në vendngjarje shihen disa persona të shtrirë në asfalt, ndërsa qytetarë të pranishëm përpiqen t'u japin ndihmën e parë deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ambulancat dhe forca të shumta policie, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Deri në këto momente raportohet për disa persona të plagosur, por ende nuk ka një informacion zyrtar lidhur me numrin e saktë të të lënduarve apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Pamjet filmike tregojnë dëmtime të konsiderueshme në mjetet e përfshira, çka lë të kuptohet se përplasja ka qenë e fortë. Trafiku në zonë është rënduar ndjeshëm, ndërsa policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin segmentin deri në normalizimin e qarkullimit.
JOQ Albania do të vijojë të ndjekë nga afër këtë ngjarje dhe do t'ju mbajë të informuar sapo të ketë detaje të reja nga autoritetet mbi shkaqet e aksidentit dhe gjendjen e personave të përfshirë.